Home » KORABI New York » Dikur banjë, tash e tutje galeri moderne

Dikur banjë, tash e tutje galeri moderne

Solemnisht u përurua Hamami i rikonstruar në Dibër

Nefail SPAHIU
Dibër, 25 korrik 2007 – Hamami i qytetit të Dibrës, i cili deri në fillimin e viteve të nëntëdhjeta shërbente si Banjë për larje, prej të martës, ky objekt do të jetë një Galeri moderne në mesin e qytetit, që do t’u japë mundësi artistëve të ndryshëm, poetëve, rinisë e subjekteve tjerë për t’i zhvilluar aktivitetet e tyre.
Në kuadër të manifestimit “Ditët e kulturës- Dibra 2007”, në prani të një grupi intelektualësh dhe qytetarë të Dibrës, u bë hapja solemne e këtij objekti të rinovuar, me ndihmën e Ambasadës holandeze, nëpërmjet Bankës Botërore dhe pushtetit vendor të Dibrës, ndërsa i priu ekspozita e piktorit të njohur dibran Sabit Bocku.
Duke folur për rëndësinë e objektit në fjalë, para aktit të prerjes së shiritit të përurimit, kryetari i Dibrës, Argëtim Fida, mes tjerash, pasi foli për fazat e rinovimit të hamamit, shprehu falënderimin e tij ndaj Ambasadës holandeze, e cila nëpërmjet Bankës Botërore dha donacion për sjelljen në gjendjen e tashme të këtij Hamami, njëherësh. Duke folur për vlerat artistike të piktorit Sabit Bocku, respektivisht për ekspozitën e hapur enkas për këtë rast, profesori Petrit Damani theksoi se ky piktor pas shumë ekspozitash të pavarura dhe kolektive na jep mundësi që të jemi të pranishëm në një paraqitje të 24 tablove dydimensionale dhe pesë punimeve tredimensionale.
“Vetë sigla e ekspozitës ‘Oxhaqet’ është një cikël në tërësi e që ngërthen në një të kaluar të largët e vjen deri në ditë tona, pra ka një lidhshmëri të pandarë nga jeta e përditshme”, tha Damami. Sipas tij kjo ekspozitë, është një gërshetim elementesh krijuese që të lë përshtypjen dhe në një moment të shtyn të zbërthesh nga ajo që ke vërejtur.
“Pra nëpërmjet elementeve figurative siç janë vija, forma, ngjyra, lëvizjet, e kështu me radhë, vizitori aty mund të gjejë vetveten me sa ai e kupton, duke formuar një imazh nga ajo që ka vërejtur” vëren profesori. Ekspozita po vizitohet nga artdashës të shumtë nga Dibra, Peshkopia dhe mërgimtarët tanë. Ajo do të jetë e hapur deri më 2 gusht.

 

About

Leave a Reply

Translate »