Home » Latest News » Dibranët, kampionët e ujërave të qeta

Dibranët, kampionët e ujërave të qeta

Nga MYDibra.com

image

Reportazh nga Dibra e Madhe, aty ku merr jetë sporti i kanotazhit, duke zbuluar të vetmit shqiptarë në botë që merren me këtë gjini sportive.

Jemi në Strugë, në vendin ku derdhet liqeni i Ohrit. Aty merr jetë lumi, liqeni i Ohrit. Aty merr jetë lumi më i gjatë në Shqipëri, Drini. Vendburimi ka një pamje fantastike. Menjëherë të bie në sy, gurgullima e bardhë dhe e vrullshme e tij, ndërsa më pas, formon shtratin, për të gjarpëruar me kilometra të tëra drejt Dibrës së Madhe e më tej në tokën e Republikës së Shqipërisë.

Udhëtojmë bashkë me të, përmes gjelbërimit të pafund, që e bën këtë luginë nga më të veçantat në Gadishullin Ballkanik. Pasi kalojmë Modriçin dhe digën e një hidrocentrali të parë mbi këtë lum, një ishull i vogël bën përshtypje në mbretërinë e ujit, që formon këtë liqen të gjatë, deri në qyteti ne Dibrës së Madhe. Pamjet janë mahnitëse dhe në raste të tilla e ke të vështirë të zgjedhësh. Përmes këtij kalvari pamjesh gjelbëruese mbërrijmë në stacionin e fundit, adresën ku ne jemi nisur nga Tirana. Në pamjen e parë shfaqet liqeni i Radikës ose i Dibrës së Madhe. Në fundin e liqenit, pranë digës së tij,është një oaz i rrethuar, brenda të cilit fundoset uji i tepërt. Poshtë degës merr rrugën lumi Drin, i cili vazhdon të gjarpërojë përmes fshatrave të Dibrës tjetër e më pas në Kukës, Tropojë, Pukë e Shkodër. Pas pak mbërrijmë në qytetin e Dibrës së Madhe, që dallohet nga xhamitë e shumta dhe gjelbërimi.

Bukuri të tilla mahnitëse marrin më shumë vlerë nga një sport, që konsiderohet i rrallë në llojin e  tij. Është fjala për kanotazhin,që në Dibër ka marrë famë dhe tashmë skuadra e Radikës është  e vetmja e shqiptarëve në botë që ushtrojnë kajakun dhe kanonë. Grupi ynë i xhirimit pritet në ambiente te klubit “Radika”, me atë mikpritjen tipike dibrane. Drejtues të qytetit, por edhe klubit, urojnë mirëseardhjen  të parit ekip televiziv që shkon atje nga televizioni shqiptar, për të promovuar sportin.

Një djalë pasionant, që quhet Urim Lleshi, vazhdon të mbajë gjallë një ekip që tashmë njihet në Ballkan, Europë dhe botë,madje kryetari i këtij klubi është zgjedhur si president i federatës së kanotazhit për ujërat e qeta në Maqedoni. Një numër i madh kupash të fituara, diplomash e medaljesh, flet ndoshta më shumë se ato çfarë ne do të themi në këtë telereportazh.

Nga viti 2005 e në vazhdim, ky ekip është bërë lider në Maqedoni dhe në Ballkan. Me sytë tonë ndjekim një ditë stërvitore që nuk është e lehtë. Çdo sportist duhet të mbajë në krahë varkën e tij, e thënë ndryshe, kajakun apo kanonë. Më pas, tek vërshojnë 47 sportistë, djem e vajza këtu në liqen, pamjet marrin tjetër vlerë. Pasioni i këtij grupimi është për tu përmendur, pasi ata, tashmë, janë bërë të famshëm në gjithë kontinentin.  Varkat e bukura, të holla dhe të gjata, përdoren aq mirë nga këta mjeshtra të vozitjes, saqë të duket se je në një sfilatë të lojërave olimpike. Vlora Cami, Doruntina Lleshi, Azemina Velica, Parajsa Lata, Ideal e Brilent Çutra, Zoga Uruçi, Genc Maqellara, Ideal Kerçishta, Eglon Taravari, Atdhe Taravari, Drilon Lleshi, Arbenor Lleshi, Arber Marku, Visar Iljazi, Habib Torte e mjaft djem e vajza të tjerë i japin jetë liqenit të Dibrës.

Drejtuesi i klubit, një ish sportist i suksesshëm, babai i dy talenteve kampione, Doruntinës dhe Drilonit, Urim Lleshi, tregon si erdhën deri këtu dhe ku pretendojnë të shkojnë me këtë sport tejet të veçantë. Ai pohon vështirësitë dhe sakrificat që janë dashur,sidomos në këto vite që ai drejton bashkë me një grup pasionantësh si Agroni, Zeneli, Adriatiku, Kreshniku, Argëtimi e mjaft të tjerë. Qëllimi i tij është që ky sport të mos mbetet vetëm në Dibër të Madhe, por të përhapet edhe në trojet e tjera të shqiptarëve, mbi të gjitha të arrihet përfaqësimi në lojërat olimpike, sepse ky sport, është nje sport Olimpik.

Duke biseduar me anëtarët e kryesisë, mjaft miq e dashamirës të këtij klubi, mëson diçka interesante. Ata duan që kjo përvojë të shtrihet në të gjitha viset shqiptare, si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi etj. Qëllimi i tyre është që ky sport të marrë përmasa kombëtare. Ish kryetari i këtij klubi, njëherësh anëtar i kryesisë së re, Agron Çutra, pohon këtë fakt dhe ndjehet mjaft krenar nëse një ditë do të arrihet. Numri i sportistëve cilësore këtu është i shumtë. Mjafton të shohësh edhe një garë në orët stërvitore, për të kuptuar aftësitë lëvizore dhe taktikën që përdorin mbi një mjet shumë të hollë dhe pa bazament. Djemtë e vajzat janë të bukur edhe pa i parë në varka, por kur i sheh që lundrojnë me aq finesë, të shtohet vlerësimi për ta.

Përgjithësisht anëtarët e kryesisë kanë ndjekur shembullin familjar, duke ftuar fëmijët e tyre dhe tashmë kjo është përhapur tek të rinjtë dhe të rejat në Dibër të Madhe. Në rolin e specialistit është edhe Adriatiku, një djalë pasionant dhe i saktë në mendimet dhe veprimet e tij. Ai ndjek nga afër ecurinë e gjithë sportistëve dhe bën bilancin e punës së tyre. Mbi të gjitha, ai është një pasionant dhe fanatik i ekranit të TVSH, të cilin e ka ndjekur prej vitesh.

Kryetari i bashkisë së qytetit quhet Argëtim Fida. Ai na ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj dite të xhirimeve tona. Vetë ka qenë sportist, por ish ekipi i tij nuk kishte të tilla kushte për të arritur diçka asokohe. Sot gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë Radika e tij është kampione dhe fituese e medaljeve kombëtare e ndërkombëtare. Intervista e tij sjell një historik, por edhe një ide për të ardhmen. Ai tregon se ky sport tashme është bërë pronë e dibranëve. Vlerëson angazhimin e drejtuesve dhe anëtarëve të kryesisë, por edhe faktin shumë domethënës, që Urim Lleshi, një djalë dibran, drejton edhe Federatën e Maqedonisë për ujërat e qeta.

Kemi ardhur në mbyllje të këtij reportazhi sportiv, i pari nga Dibra e Madhe për një sport si kanotazhi, por do të vazhdojmë edhe pak, të zbulojmë mrekulli të tjera të qytetit me shumë tradita të Dibrës së Madhe, mes të cilit ndodhet edhe busti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Më pas lëmë qytetin dhe udhëtojmë drejt grykës së famshme historike të Radikës, aty ku bashkohet me Drinin plak. Kosovrasti është fshati i ulur këmbëkryq në grykë të Radikës. Edhe pse një ditë me shi, bukuritë e atyre anëve zbulohen si një kartolinë që të fton të shkosh sërish. Vizita në një prej kishave më të vjetra në Ballkan, e ndërtuar në 1020, shënon epilogun e një dite tejet të ngarkuar, që sfidoi shiun e pranverës dhe nxori në pah jo vetëm vlerat e sportit të bukur të kanotazhit atje, por edhe kësaj natyre përrallore dhe vlerave që i kemi fare pranë dhe nuk i prekim e i shohim nga afër.

Ka mjaftuar ky reportazh për të parë se shqiptarët nuk njohin kufij mes tyre, pasi pasioni për sportin i bën ata të famshëm dhe i shkrin kufijtë jo vetëm midis dy vendeve tona, Maqedoni e Shqipëri, por në gjithë kontinentin. Dhe kjo falë kampionëve të ujërave të qeta të Radikës.

Portreti i kampiones me emrin e bukur Vlora, nga garat ajo veçon gjysmëfinalet

 

Vlora Cami është një nga vajzat e shumta që lundrojnë dhe stërviten në liqenin e bukur dhe të qetë të Radikës. Edhe pse vetëm 15 vjeç, ajo është një kampione, e cila ka treguar vlerat e saj brenda dhe jashtë vendit. Ëndrra e saj për t’u bërë kampione bote jo vetëm na bëri optimistë, por na gëzoi fakti që ajo kërkon të përfaqësojë Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë sport interesant dhe jo vetëm Republikën e Maqedonisë.

Vlora ka një pasion të jashtëzakonshëm për kajakun dhe këtë e ka shprehur edhe në disa gara ndërkombëtare, kur nuk i kanë munguar medaljet, si në Strugë, Bullgari, etj. Ajo të flet me respekt për drejtuesin aktual Urim Lleshi, por edhe për profesorin e Edukatës fizike, Uran Qorrmehmeti, që, sipas saj, janë arkitektët e këtyre rezultateve për Vlorën. Nga garat ajo veçon gjysmëfinalet në Bullgari, ku është renditur e treta. Në moshën 10 vjeçare ajo është marrë me karate, por kajaku e tërhoqi më shumë dhe vazhdon tashmë ta ushtrojë me mjaft profesionalizëm. Edhe pse ka 5 vite që nuk i ndahet kajakut, të duket se sot e ka nisur këtë sport, duke parë pasionin e një vajze që ëndërron të bëhet kampione, ashtu si shoqet e saj, Drilona Lleshi, Azemina Velica, Parajsa Lata, Zoga Uruçi dhe mjaft të tjera, që tashmë janë në qendër të vëmendjes në qytezën e bukur të Dibrës së Madhe.

Vlora, kjo vajzë me një emër të bukur shqiptar, është vetëm një lule nga buqeta e freskët e ekipit të Radikës, që tashmë kanë pushtuar botën dhe pak ditë më parë, ishin miq specialë në studion e TVSH-së.

Ne do të shkruajmë përsëri për Vlorën dhe sportistet e tjerë, sepse jemi të bindur që suksesi është bashkudhëtar në këtë rrugë të nisur drejt lojërave olimpike dhe podeve të nderit të Ballkanit, Europës dhe botës…

 

 

About admin

Leave a Reply

Translate »