Home » KORABI Dibër » Eksluzive/ Marinarë dhe shqiptaro-amerikanë mes ekipit tonë kombëtar

Eksluzive/ Marinarë dhe shqiptaro-amerikanë mes ekipit tonë kombëtar

*Jo të gjithë shqiptarët luajnë futboll, por të gjithë janë dashamirës futbolli

*Një ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi, takim te Resors “Tropikal”

Foto Reportazh nga Shefqet Kërcelli

8 tetor 2015 – Nga dritarja e katit të 3-të të Komandës së Forcës Detare, Plepa, mund të sodis një pjesë të Gjirit të Durrësit, por po të hedh sytë në veri të godinës, rreth 30 -50 m, mund të ndjek lehtësisht aktivitetin e djemve tonë të kombëtares së futbollit. Aty kombëtarja jonë vjen rregullisht para çdo ndeshjeje, gjë që nuk i ka shpëtuar syrit të kolegëve të mi detarë. Kam qenë dhe mbetem tifoz i motoçiklizmit, atletikës dhe notit, pavarësisht se kam luajtur dhe futboll, por  nuk mund ta mohoj, se ka 6 vite që unë po ndjek me vëmendje kombëtaren tonë të futbollit, çdo stërvitje që ajo zhvillon te fusha sportive e “Tropikalit”. Pse? Këtë pyetje mund ta bëjë çdo shqiptar kudo që është. Por në logjikën time them se këta djem që përbëjnë këtë kombëtare na e kanë bërë të magjishëm këtë sport, ashtu siç e perceptojnë shumica e ndjekësve të këtij sporti.

Loriku dhe familja Cana

Në fakt për hatër të studimrve të mia në fushën e historisë kam një lidhje të vjetër më të ndjerin Prof. Zekeria Cana, xhaxhanë e Lorikut. Kam vizituar profesorin në shtëpinë e tij sa ishte gjallë. Një shtëpi qytetare prishtinase, që nuk dallonte shumë nga shtëpitë qytetare shkodrane, tiranase, durrsake, korçare, etj. Isha mik në këtë shtëpi disa herë, sa ishte profesori gjallë, jo thjesht prej punës sime studimore, të cilën e kam theksuar te vëllimi i parë i “Antologjisë së Detarisë  Shqiptare”, por dhe për një shkak tjetër, pasi kjo familje krahas kontributit në qytetarinë e spikatur dhe studimeve historike, ka nxjerë dhe pinjollin e kulturës dhe profesionistit të futbollit, kapitenin e lavdishëm Lorik Cana. Kam pasur fat që në intervistën e realizuar me prof. Zekerinë, midis të tjerave më ka thënë se, unë ja kam vënë emrin Lorikut. E shoh shpesh këtë djalë në ndeshje futbolli në shumë TV Evro-shqiptare, ndërkohë e kam takuar disa herë tek “Tropikali”. Një njeri i thjeshtë, që të bën për vete, modest për atë çka përfaqëson në të vërtetë, atdhedashës, futbollist profesionist, qytetar i spikatur shqiptaro-evropian, familjar, vlera që i hasim rrallë te brezi i tij, ky është kapiten Loriku.

Loriku shquhet jo vetëm si kapiten i fushës së blertë por dhe si dashamirës i detit, pasi vitin e kaluar bregëzoi lehtësisht jahtin e tij në portin e Sarandës,  ndaj ai veç shkrimeve të shumta për sportin, është pjesë e 3 vëllimeve të “Antologjisë së Detarisë”. Kapiteni i skuadrës sonë kombëtare ka dy vite që është pronar dhe kapidan i një mjeti detar, pra është kapidan në stere dhe në det, njëkohësisht  ai është dhe student i Historisë së Popullit Shqiptar në Universitetin e Tiranës. Mbase një ditë të bukur do shkruaj shumë për këtë familje të ndritur të kombit shqiptar, por sot po them vetëm kaq, për mua dhe mjaft qytetarë shqiptarë, Loriku është “Nder i kombit shqiptar”.

Loriku dhe marinarët

Mbasi mbylla punët e mia të përditshme në komandën e FD-së, i dërgova një e-mail të shkurtër kapiten Lorikut, nëse kishte kohë për një takim të shkurtër. Midis qindra e-maileve që i vinin nga gjithë bota, Loriku veçoi e-mailin e detarëve, ndaj dhe gjeti kohën të priste. Me miqtë e mi, Adin, Naimin e Bardhin u drejtuam te rezidenca “Tropikal”. Në fakt ne si ushtarakë të pavlerësuar nga të tjerët u ngazëllyem nga ftesa e kapitenit për takim. Një ditë para ndeshjes na u duk si befasi e këndshme. Shkuam 10 minuta para. Shiu i rrëmbyer i datës 7 tetor nuk i pengoi djemtë tanë të kombëtares të zhvillonin stërvitjen e radhës. Shpresojmë që sot “Elbasan Arena” do të jetë e thatë nga moti. Mbasi kaluam postbllokun e “Tropikalit” iu drejtuam hotelit ku pushonin futbollistët tanë. Ishim 10 minuta para, kur nga dritarja e barit kryesor të këtij resorsi po trokiste dikush. Ishte Loriku që sapo na pa, trokiste te xhami.

“Hej! Deri ku shkon thjeshtësia e këtij njëriu”, thamë së bashku. Në këtë afrimitet biseda rodhi natyrshëm. Fillimisht e uruam për djalin, Boikenin. Si detarë i propozuam se dëshira jonë është që Boiken të bëhet kapidan anijeje. Dhe unë kam shumë dëshirë, le të bëhet! Një kapidan deti më shumë për kombin shqiptar! Na gëzoi fakti që kapiteni ishte mirë me shëndet, pavarësisht problemit të javës së kaluar. Por Kapiteni, mbasi na siguroi për shëndetin e vet, i përqendruar te shokët, na shpjegoi se gjendja shëndetësore e skuadrës është shumë e mirë. Nuk deshëm të jepnim këshilla, se ekipi ynë kombëtar përbëhet nga profesionistë të mirë, por dhe trajnerë e psikologë të spikatur. Pamë se djemtë e kombëtares ishin gjakftohtë, të qetë dhe bisedonin lirshëm me personelin e restorantit, por dhe me vizitorët e shumtë. Natyrisht që në kësi rastesh çdo njeri përpiqet të dhurojë diçka,  ndaj i dhuruam kapitenit “Antologjinë e Detarisë Shqiptare”, vëllimi i dytë, me nënshkrimin: “Kapiten Lorik Canës, si qytetar, atdhedashës, futbollist profesionist dhe dashamirës i detit”, të cilin ai e pranoi me kënaqësi.

Shqiptaro-amerikanë dhe futbollistë

Ndërkohë që po dilnim në pjesën e jashtme të restorantit, një grup njerëzish po bisedonin dhe bënin foto me futbollistët tanë. “Janë shqiptaro-amerikanë e diaspora”, na sqaron Loriku. Kanë ardhur nga New York-u, New Jersey, Suedia, Zvicra, etj, për të ndjekur ndeshjen, por paraprakisht me plot dashuri takojnë me lojtarët tanë. “Trajnieri ynë De Biazi ka një mënyrë të vetën origjinale, futbollistët i le të takojnë dashamirësit e futbollit kudo që janë, duke lënë një orë të caktuar”, thotë kapiten Loriku. Kështu dhe grupi ynë bëhet pjesë e këtij gëzimi. Shaka, lot gëzimi, shtrëngime duarsh, urime pa fund, kjo ishte atmosfera që të dhuronin ambientet e “Tropikalit”, më 7 tetor. Kujtimi, Murati, Lulzimi, Aliti, Xhevati, Burani, Syrjaj, Elvisi,  Luftari, Kreshniku, amerikani Charlie Asken, bashkë me lojtarët Ansi Agolli, Ervin Bulku, Cikalleshi, Lila, Berisha, etj. ishin pjesë e kësaj feste të përbashkët. Në këtë ambient tepër miqësor kapiten Loriku thekson: “Le të fitojë futbolli, kultura, toleranca nesër më 8 tetor. Futbolli është i magjishëm se ka brenda emocionet, por djemtë tanë dinë t’i menaxhojnë ato si duhet, gjë që do tregojnë dhe nesër”. Por kjo ditë e bukur, me plot emocione dhe takime nuk mbaron këtu. I ndodhur disa metra larg, trajnieri De Biazi po shihte këtë ambient miqësor dhe na u afrua menjëherë. Jam me ju, na thotë, ky njeri i thjeshtë dhe me zemër të madhe. Të them të vërtetën e kisha parë në TV trajnerin, por duke shtrënguar duart, mu duk shqiptar e kaluar shqiptarit! Kam parë dhe trajnerë të tjerë të huaj para tij që nuk afronin kollaj shqiptarë. Mes këtij gëzimi ku përfshihen shqiptarë nga çdo cep i globit, erdhi dhe presidenti Duka, që u bë pjesë e grupit tonë. Emocione pa fund! Më mirë që këto emocione po i kalojmë mbas shiut dhe para ndeshjes, u shpreh dikush. Ndërkohë që një TV shqiptaro-amerikan po përgatiste një dokumentar për kombëtaren tonë të futbollit të cilin do e japë në SHBA për gjithë shqiptaro-amerikanët javën e ardhshme. Mu ka shtu jeta 30 vite sot, o miq, na flet Murati, president i klubit sportiv, “Harvardmaint”, në New York.

Skënderbeu dhe ekipi ynë i futbollit

I ndodhur në këtë grup miqsh, ku çiltërsia, zemërgjerësia dhe krenaria shpreheshin natyrshëm, mendja më shkonte dhe më larg për këta djem. Dikur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, për luftëtarët e shquar në beteja afronte pushime në kalatë e ngritura përgjatë bregdetit. Midis tyre kalaja e Rodonit ishte më e preferuara. Mund të duket paksa naive, por që djemve tanë t’u sigurohet nga një lundrim i përshtatshëm kohor përgjatë bregdetit shqiptar me anijet e Flotës Luftarake, “Butrinti”, “Lissus”, etj, nuk është ndonjë gjë e madhe. Sigurisht që tashmë ata kanë parë aeroportet e rivierat e botës, por shteti shqiptar le t’u ofrojë dhe mundësi të tilla. Besoj se djemtë tanë e mirëpresin. Gjatë takimit me futbollistët  kishte biseda të ndryshme. Njëri thoshte harxhova kaq për biletën me ardh nga Neë Yorku, tjetri kaq nga Suedia, tjetri thoshte bleva enkas ekranin plazma x, euro, etj. Kur dëgjoja këto më kujtoheshin mundësitë e Federatës sonë të futbollit për pagesat e këtyre djemve që lartësojnë emrin e shqiptarit. Unë dhe mjaft kolegë të mi, nuk e kalojmë 300 $ në muaj, dhe prapë kur vjen puna për këta djem jemi gati të japim diçka. Po këta bashkatdhetarë që harxhojnë kaq këtu e aq atje, le të rezervojnë një sasi të hollash në numrin e llogarisë të kombëtares sonë. Se dhe këta kanë shpenzime pa fund. Mendoj se ka ardhur momenti që gëzimin, spektaklin  dhe emocionet që po na dhurojnë këta djem ta shoqërojmë jo vetëm me brohoritje, por kush ka mundësi dhe me diçka konkrete. Këta njerëz na e bëjnë zemrën mal e na shtojnë krenarinë si shqiptarë, kudo që të jemi. Por dhe institucionet shtetërore shqiptare që japin medalje duhet të mendojnë diçka për kapiten Lorik Canën e këtë Kombëtare Historike. E pra, këtyre djemve i takon “Medalja e Artë e Shqiponjës”, se bënë histori në futbollin shqiptar, ndaj duhet të hyjnë në historinë e kombit tonë.

Ndeshje futbolli si gjithë të tjerat

Këtë po më thoshte Adi, një miku im që e ka mbushur lokalin me foto të kombëtares sonë në vite, por dhe me foto të  Erion Bogdanit, Alban Bushit, Lorik Canës, etj. Më pëlqeu qetësia dhe gjendja e ekipit sqaron Adi. Mos i japim kësaj ndeshjeje asnjë ngjyrë ekstremizmi nacionalist, politik e gjithfarësh, siç ndodh rëndom. S’ka asnjë arsye. Luajmë me një shtet fqinj si gjithë të tjerët. Ne kemi luajtur dhe me Greqinë disa herë. Po t’i hyjmë gjërave, është i njëjti mentalitet e relacion politik, thonë disa qytetarë.  Këtë mendim ma forcoi dhe kushëriri im Pëllumbi në Elbasan, i cili ka shtëpinë ngjitur me stadiumin, ku dikur nga ballkoni i katit të 4-t, së bashku shihnim ndeshjet. Qytetarët elbasanas e shohin si një ndeshje të radhës, pavarësisht nga emri i ekipit. Mjaft qytetarë durrsakë që takova kur po shkoja në shtëpi, më shprehën të njëjtin mendim. Man Tonuzi, Suel Strazimiri, Endri Shquti, Elio Kokomani, etj, më thanë se i urojmë shqiponjave kuqezi fitore, ashtu si dhe në ndeshjet e tjera. Ne presim që të na dhurojnë një finale të bukur. Një fitore do ia lehtësonte kalimin në Euro 2016. Përndryshe do sforcohen me Armeninë. Kështu e shihnin këtë ndeshje qytetarët durrsakë. Nuk shihja asnjë shenjë ekstremizmi. Nuk jam marrë me parashikime futbolli, as me lloto, por po i besoj parashikimit të djalit tim, një fitore të Shqipërisë me rezultatin një më zero. Dhe njëherë, urime Shqiponjave Kuqezi në Elbasan-Arena!

IMG_6059_0 IMG_6043_0 IMG_6025_0 IMG_6004_0 IMG_5994_0 IMG_5993_0

About admin

Leave a Reply

Translate »