Home » Kombetarja » Kombëtarja ndryshon fanellën

Kombëtarja ndryshon fanellën

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit do të vazhdojë eliminatoret e këtij Botërori me një tjetër imazh. Duke filluar nga ndeshja e ardhshme kundër Italisë në Palermo, kuqezinjtë do të kenë një uniformë të re.

Fanella vazhdon të ruajë identitetin e simbolit shqiptar, që është shqiponja. Gjithçka është dizenjuar nga e njëjta kompani shqiptare që kishte dizenjuar edhe modelin e mëparshëm, Pik Kreativ. Imazhi ballor i uniformës është një imitim i ndërthurjes së pendëve të shqiponjës, janë ruajtur një sërë elementësh, përfshirë këtu edhe moton “Ti Shqipëri më jep nder”.

Sa i përket uniformës së quajtur “Triumf” dhe që ishte një model i veçantë vetëm për finalet e Europianit, sipas FSHF-së ka patur një sukses shumë të madh në shitje dhe kjo jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe në skajet më të largët të globit, si Singapori apo Hong Kongu.

Megjithatë, me këtë fanellë të re pritet që dhe kombëtarja jonë të ketë një tjetër marsh për eliminatoret e Botërorit, të cilat kanë filluar larg pritshmërive.

“Unë nuk jam supersticioz sepse besoj në punë. Megjithatë, kur i bën të gjitha, ndoshta na duhet edhe fati që uroj të na e sjellë kjo uniformë”, deklaroi Armand Duka, presidenti i FSHF-së.

Uniforma e re e përfaqësueses së Shqipërisë ka dalë që në ditën e mërkurë në dyqanet zyrtare të FSHF-së dhe do të ketë të njëjtin çmim, prej 79 eurosh.

About admin

Leave a Reply

Translate »